Testet ndërkombëtare të gjuhës angleze çdo ditë e me shumë po marrin vëmëndjen e të rinjve shqiptarë.
Studentët dhe të rinjtë e vendit nuk mjaftohen vetëm me njohuritë e gjuhës angleze, por tanimë kryejnë edhe testime ndërkombëtare të gjuhës (siç është IELTS), për të pasur certifikim të njohurive të tyre, qoftë kjo e fundit për qëllime studimi apo punësimi jashtë vendit.
IELTS është provimi më i njohur në botë i gjuhës angleze, ku më shumë se 2,9 milione provime zhvillohen çdo vit. Ai është i vetmi test i gjuhës angleze i pranuar për qëllime emigrimi nga të gjitha shtetet dhe është i dizenjuar të ndihmojë çdokënd për të nisur një jetë të re jashte vendit.
Eda Cauli, pedagoge e gjuhës angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, që në vitet 2012, për të vijuar më tej në Fakultetin e Ekonomisë dhe Drejtësisë, tregon përmes një interviste për ATSH-në, eksperiencën e saj të gjatë me studentët, lidhur me nivelin e njohurive si dhe metodave bashkekohore për mësimin efikas të gjuhës së huaj.
E trajnuar në Angli për mësimdhënien përmes metodës CLIL, ekspertja për provimet ndërkombëtare, znj. Cauli, përdor në përgatitjen e të rinjve, metodat më moderne e bashkekohore, për të “rrëmbyer” rezultate sa më të larta.
Përveçse pedagoge, ndër pasionet e saj më të mëdha janë edhe kurset përgatitore për “IELTS”. Prej shumë vitesh ajo ka punuar si administratore në kompani ndërkombëtare për kurset e gjuhës angleze si dhe në Akademinë e Gjuhës “Britannia Language Academy ”, çka i ka shërbyer për të mësuar dobësitë dhe pikat e forta të të rinjve shqiptarë në mësimin e gjuhës së huaj.
“Nuk mjafton vetëm të nisësh kursin përgatitor për të testuar njohuritë në anglisht, por duhet të duash së pari gjuhën e huaj që po mëson. Për këtë gjë, duhet që orën e mësimit ta bësh sa më tërheqëse ndaj në përgatitjen e të rinjve përdor metodat më bashkekohore për suksesin e tyre. Rezultati i tyre është njëkohësisht edhe motivimi im për ta bërë më mirë akoma këtë punë”.
Sipas saj, numri i të rinjve që zhvillojnë kursin përgatitor për testimin ndërkombëtar është gjithnjë e në rritje. Gjatë intervistës, znj. Cauli ka evidentuar si “pikë të dobët” të të rinjve, krijimin e esesë në një kohë të limituar, ndërsa pikë të fortë ambicjen e tyre për t’u njohur me gjuhët e huaja.
Znj. Cauli është trajnuar nga Cambridge Education Group për IELTS , ambasada amerikane në “Teaching English for Specific Purposes” dhe “Shaping the way we teach English”, po kështu ajo ka prezantuar mjaft konferenca kombëtare të trajnimit të mësuesve të gjuhës angleze si “Collaborative Learning activities in the Business English Class” etj.
Intervista e plotë:
Si ka qenë interesimi nga studentët/të rinjtë shqiptarë në këtë periudhë për provimin e IELTS?
Mund të them që vitet e fundit, interesimi i të rinjve për të dhënë provimet ndërkombëtare ka ardhur gjithnjë e më shumë në rritje. Duhet theksuar se dëshmia e gjuhës së huaj, është kriteri bazë për të aplikuar në universittet jashtë vendit ose për të punuar në vendet anglishtfolëse. Ndaj, janë kaq shumë të interesuar të rinjtë tanë për të dhënë IELTS. Por, edhe në Shqipëri është mjaft i rëndësishëm. Nëse kërkon të aplikosh për një vend të mirë punë, të duhet me patjetër që të kesh dëshminë e gjuhës dhe ky test ka shumë vlerë në këtë aspekt.
Aplikantët që përgatiten për provimin ndërkombëtar janë studentë që presin të marrin diplomën e masterit ose doktoraturës, apo ka dhe të tjerë të interesuar?
E vura në dukje edhe më sipër. Nuk janë vetëm të rinj që duan të ikin jashtë vendit me studime, por edhe ata që aplikojnë për kontrata pune jashtë Shqipërisë. Ky provim ndahet në dy kategori: dëshmi gjuhe për studim e cila kërkohet në nivel të lartë akademik dhe dëshmi për punësim. Pra, njëri testim është për nivel akademik dhe tjetri i përgjithshëm,çka mund ti shërbejë të rinjve për tu punësuar diku.
Znj. Cauli, sipas jush, cilat janë pikat e dobëta e të forta të atyre që përgatiten për provimin? Ku duhet të mëshojnë më shumë të rinjtë?
Studentët përpiqen shumë për të përmbushur çdo boshllëk, për të marrë rezultate të arrira. Si pikë të dobët do të evidentoja pjesën e krijimit të esesë në një kohë të limituar, ku trysnia e kohës dhe mungesa e praktikës në këtë fushë bën që detyra të mos përmbushet si duhet. Ndaj, ata që duan që ti nënshtrohen këtij testi ndërkombëtar, duhet të përpiqem më shumë me pjesën e praktikës. Pra, të bëjnë sa më shumë praktike duke matur kohën dhe duke shkruar ese me tema të ndryshme. Kjo do të sillte mjaft përmirësime. Ndërsa si pika të forta do të cilësojë të kuptuarit e gjuhës dhe ambicien për të mësuar sa më shumë.
Lidhur me ekperiencën tuaj profesionale, mund të themi që ju keni një cv të pasur lidhur me mësimdhënien e provimeve ndërkombëtare dhe sidomos të provimit IELTS. Ju jeni trajnuar brenda dhe jashtë vendit si psh; nga Cambridge University, etj. Mund të flisni pak për metodën e avancuar që perdorni për nje mësimdhënie të suksesshme?
Ndër vite pune dhe studimi njëkohesisht, kam hartuar një kurrikul të posaçme për secilin nga provimet. Duke kombinuar këtu metodat më të fundit bashkëkohore duke krijuar “një dosje” siç unë preferoj ta quaj, të bazuar në metodën CLIL. Pra, kombinimi i disa metoadave përkatëse dhe zbatim i tyre sipas nevojave specifike të çdo studenti.
Llojet e testeve ndërkombëtare:
“Cambridge ESOL”- University of CambridgeExaminations “IELTS” – International English Language Testing system “TOEFL” – Test of English as a Foreign Language “TOEIC” – Test of English for International Communication
Intervistë dhënë për ATSH, 20 Korrik 2017.
Marrë nga ATSH, Korrik 2017.